Tafsir As-Saadi

Multiple Ayahs

Tags

Download Links

Tafsir As-Saadi tafsir for Surah As-Saf — Ayah 6

وَإِذۡ قَالَ عِيسَى ٱبۡنُ مَرۡيَمَ يَٰبَنِيٓ إِسۡرَٰٓءِيلَ إِنِّي رَسُولُ ٱللَّهِ إِلَيۡكُم مُّصَدِّقٗا لِّمَا بَيۡنَ يَدَيَّ مِنَ ٱلتَّوۡرَىٰةِ وَمُبَشِّرَۢا بِرَسُولٖ يَأۡتِي مِنۢ بَعۡدِي ٱسۡمُهُۥٓ أَحۡمَدُۖ فَلَمَّا جَآءَهُم بِٱلۡبَيِّنَٰتِ قَالُواْ هَٰذَا سِحۡرٞ مُّبِينٞ ٦
Allahu i Madhëruar na tregon për arrogancën dhe refuzimin e bijve të Israilit ndaj ftesës së Isait (a.s.):Kujto dhe kur Isai, biri i Merjemes, tha: “O bijtë e Israilit! Unë jam i dërguar i Allahut për ju.” -Allahu i Madhëruar më dërgoi tek ju që t’ju urdhëroj për të mira dhe t’ju ndaloj nga veprat e këqija. Allahu më pajisi me mrekulli të shumta, që dëshmojnë vërtetësinë time si profet i Tij. Ndër faktet që dëshmojnë për vërtetësinë time është edhe që:Unë jam vërtetues i Teuratit, që ishte para meje;... -Unë kam ardhur me të njëjtat ligje si profetët e tjerë të Zotit dhe si miratues e përforcues i ligjeve të Musait. Nëse do të isha thjesht një gënjeshtar, atëherë fjalët e mia do të binin ndesh me mësimet e të gjithë profetëve të tjerë. Unë e miratoj Shpalljen para meje, pra, Teuratin, dhe unë vërtetoj çfarë është thënë në Teurat për mua. Gjithashtu, unë u dërgova që të jap edhe një sihariq tjetër të madh:...jam lajmëtar për një Profet që do të vijë pas meje, emri i të cilit është Ahmed. -Ky profet, për të cilin dha sihariqin Isai (a.s.) ishte Muhamed Ibn Abdil-lah Ibn Abdul Mutalib, Profeti Hashimij, pasardhës i Ismailit, birit të Ibrahimit. Ai do të ishte vula e të gjithë të dërguarve të Zotit. Kështu, Isai (a.s.) ashtu si të gjithë profetët e vërtetë, pohoi vërtetësinë e profetëve dhe Shpalljeve hyjnore paraardhëse, dhe lajmëroi për ardhjen e Profetit pasardhës. Ndryshe veprojnë profetët e rremë, të cilët i kundërshtojnë të gjithë profetët e tjerë. Sharlatanët ndryshojnë tërësisht nga profetët e vërtetë, qoftë në cilësitë dhe moralin e tyre, qoftë në urdhëresat, ndalesat dhe ligjet që u caktojnë njerëzve.Por, kur ai u erdhi atyre me argumente të qarta, ata thanë: “Kjo është magji e hapur.”. - Kur atyre u erdhi Muhamedi (a.s.), profeti i paralajmëruar nga Isai, ata e mohuan, ndonëse ai u paraqiti shumë mrekulli, që nuk linin asnjë dyshim. Ardhja e profetit Muhamed (a.s.) u paralajmërua jo vetëm nga Isai (a.s.), por edhe nga profetë të tjerë para tij, në mënyrë që askush të mos dyshonte se ai ishte profet i vërtetë i Zotit. Duke refuzuar me inat të vërtetën dhe duke e konsideruar padrejtësisht dhe me vetëdije të plotë Shpalljen e Zotit si gënjeshtër, ata e përshkruan atë si “magji e hapur”. Ky është një nga qëndrimet më të habitshme dhe më të padrejta: ta quash magji Shpalljen e Zotit, e cila është e qartë si drita e diellit dhe të cilën e solli Profeti. A ka vetëmashtrim më të madh dhe më të pashpresë se ky “justifikim”, për të refuzuar Vulën e të gjithë vargut të profetëve të Zotit?! Kjo, pa dyshim, është shpifja më e madhe dhe më e ndëshkueshme, prandaj i Lartësuari thotë: