Zoti yt e di se ti dhe një grup i atyre, që janë me ty, kaloni në adhurim më pak se dy të tretat e natës, ose gjysmën e saj, ose një të tretën e saj. - Në fillim të kësaj sureje, Allahu i Madhëruar e urdhëroi Profetin e Tij që të falej natën: gjysmën e saj, një të tretën, dy të tretat, më pak a më shumë. Natyrisht, ai mbetet shembulli më i mirë, të cilin umeti e pason. Kështu, në këtë ajet, Allahu i Lartësuar tregon se, porosinë e Tij për t’u falur gjatë natës e kreu jo vetëm Profeti (a.s.), por edhe një pjesë e shokëve të tij. Por njerëzit nuk mund ta përcaktonin me saktësi kohën që Zoti urdhëroi për të falur namaz nate. Përcaktimi ekzakt i saj do të ishte i vështirë për ta, prandaj Allahu i Lartësuar u bëri një lehtësim, duke thënë:Allahu e di gjatësinë e natës dhe të ditës. Ai e di që ju nuk do të mund ta përmbushni atë(namazin e natës), prandaj ju bëri lehtësime. –Kuptimi: Allahu e di saktësisht kohën e natës, çfarë kalon dhe çfarë mbetet prej saj. Ai e dinte që ju nuk do t’i përmbaheshit me përpikmëri kohës kur Ai dëshiron që ju ta adhuroni me namaz, prandaj, duke jua lehtësuar, kërkon që ju ta adhuroni ashtu si t’ju vijë më lehtë. Tashmë, edhe nëse e shtoni apo e pakësoni kohën e adhurimit të natës, Zoti ju ka bërë lehtësim dhe jua ka pranuar pendimin.Atëherë lexoni(Kuran)aq sa t’ju vijë më lehtë! – Kuptimi: Lexoni Kur'an aq sa dini, pa u vënë në vështirësi. Ai që fal namaz nate duhet ta bëjë këtë adhurim për sa kohë është energjik, ndërsa nëse është i lodhur, i plogësht dhe i përgjumur, le të çlodhet dhe të qetësohet. Namazi duhet të falet me qetësi dhe përkushtim të plotë. Më pas, i Lartësuari na tregon arsyet e lehtësimit:Ai e di se nga ju do të ketë të sëmurë,... - Sëmundja përmendet e para. Kur njeriu është i sëmurë, ai e ka të vështirë që të ngrihet e të falë namaz dy të tretat e natës, gjysmën apo një të tretën e saj. Kësisoj, ai mund të falet një pjesë të natës, aq sa t’i vijë më lehtë. Gjithashtu, të sëmurit i lejohet që, nëse nuk mund të falet në këmbë, të falet ulur, e nëse edhe kështu e ka të vështirë, i lejohet të falet shtrirë ose i mbështetur. Nëse është aq i rënduar saqë nuk mund të falë namaze nafile dhe synete, atëherë edhe mund të mos i falë ato, dhe shpërblimin ka për ta marrë të plotë, sikur vepronte kur ishte i shëndetshëm. Profeti (a.s.): “Nëse robi sëmuret apo niset për udhëtim, atij i shkruhet i plotë shpërblimi i veprave që i kryente kur ishte i shëndetshëm apo jo në udhëtim.” Pastaj përmendet një arsye tjetër lehtësimi:...do të ketë nga ata që lëvizin nëpër tokë për të kërkuar begatitë e Allahut, ashtu si edhe të tjerë që luftojnë në rrugën e Allahut. Faluni dhe lexoni, aq sa t’ju vijë më lehtë! - Ka të tjerë që udhëtojnë për të bërë tregti, në mënyrë që të mos jenë nevojtarë për njerëzit dhe të mos u zgjasin dorën atyre. Kështu, edhe udhëtimi është një gjendje vështirësie, që bën të lejueshëm zbatimin e kushteve lehtësuese, siç është bashkimi i namazeve farz: yleja me ikindinë dhe akshami me jacinë, si edhe shkurtimi i namazeve katër-rekatësh në dy rekatë. Siç shihet, Allahu i Lartësuar përmendi dy lloje lehtësimesh:1. Lehtësime për ata që janë të shëndetshëm dhe jo në udhëtim. Allahu i Lartësuar i udhëzoi besimtarët në të tilla kushte, që të përzgjedhin kohën më të përshtatshme, kur ata janë aktivë dhe të gjallë, për të kryer adhurimin e natës. Ata nuk ka pse ta teprojnë dhe të rëndojnë vetveten për të gjetur pikërisht kohën kur Zoti i porosit që ta adhurojnë gjatë natës. Mjafton që të përpiqet që të falet në kohët më të zgjedhura dhe më të mira të natës, por edhe që të jetë i përqendruar dhe i vëmendshëm në namaz. Le të zgjedhë, për shembull, një të tretën e fundit të natës, kur ai ka bërë gjumë të mjaftueshëm dhe është i çlodhur.2. Lehtësime për të sëmurët dhe udhëtarët, pavarësisht a është udhëtimi për tregti, për xhihad në rrugën e Zotit apo për kryerje adhurimesh, si haxhi, umreja etj. Në të gjitha këto raste, Allahu i Lartësuar nuk e ngarkon robin përtej mundësive të tij. I lavdëruar qoftë Allahu i Madhëruar, që nuk e rëndoi këtë umet dhe nuk la asnjë vështirësi në fenë e tyre. Ai e lehtësoi Sheriatin, në varësi të nevojave dhe gjendjes së robërve , duke u kujdesur për mirësinë e trupit, dynjasë dhe të fesë së tyre. Më pas, Allahu i Lartësuar urdhëron për dy adhurime shumë të rëndësishme, që konsiderohen si shtylla të çdo adhurimi tjetër. Ai urdhëron për faljen e rregullt të namazit, pa të cilin feja e robit nuk mund të qëndrojë në këmbë, dhe për dhënien e zekatit, i cili është tregues i vërtetësisë së imanit dhe bamirësisë ndaj krijesave.Ai thotë:Faleni me rregull namazin, jepni zekatin dhe jepni për hir të Allahut hua të mirë! - Faleni namazin me rregull, duke plotësuar të gjitha shtyllat, themelet, detyrat dhe pjesët e pëlqyeshme të tij. Gjithashtu, shpenzoni për hir të Zotit, me sinqeritet të plotë vetëm për të kënaqur Atë. Jepni për hir të Zotit, duke qenë të vendosur në atë që bëni, dhe jo me zemër të lëkundur. Jepni nga pasuria hallall, me të cilën Zoti ju ka begatuar. Këtu flitet për shpenzimet e detyrueshme dhe ato të pëlqyeshme. Pastaj Allahu i Lartësuar porosit për kryerjen e veprave të mira në përgjithësi, duke thënë:Çfarëdo të mire të përgatisni për veten tuaj, atë do ta gjeni tek Allahu më të mirë dhe më të shpërblyer. - Një e mirë shpërblehet nga Zoti me dhjetëfish deri në shtatëqindfish, madje edhe më shumë. Le ta dinë besimtarët se, një grimcë mirësie e bërë në këtë dynja për hir të Zotit do të shpërblehet në Xhenetet e përjetësisë dhe të mirësive të pafundme shumë më shumë se e gjithë dynjaja, me gjithë stolitë e saj. Vepra e mirë e besimtarit ka për t’u shpërblyer me kënaqësi dhe përjetime të mrekullueshme, të cilat nuk ka asnjë mënyrë për t’i përfituar, veç përkushtimit në adhurimin e Zotit, nëpërmjet atyre fjalëve dhe veprave që Ai na ka porositur nëpërmjet Profetit dhe Shpalljes së Tij. Subhanallah! Sa e sa kohë humbet me kotësi të kësaj dynjaje! Sa e sa kohë e gjatë harxhohet pa bërë asnjë vepër të mirë për të kënaqur Allahun Bujar dhe të Gjithëmëshirshëm! O Zot, na ndihmo për këto zemra, tek të cilat nuk po ndikon më paralajmërimi Yt dhe nuk po përmallohen për takimin me Ty, që je më i Mëshirshëm për to se vetë ato për veten e vet! O Allah! I Lavdëruar qofsh! Vetëm tek Ti ankohemi dhe qahemi! Vetëm Ty të kërkojmë ndihmë! Nuk ka ndryshim të gjendjes dhe nuk ka forcë, veçse ai që mbështetet tek Ti.Kërkoni falje prej Allahut, se, pa dyshim, Allahu është Falës i Madh e Mëshirëplotë! - Pasi na porositi për të kryer vepra të mira dhe për bindje ndaj Tij, Allahu i Lartësuar na urdhëron për t’i kërkuar falje Atij. Kjo është shumë e dobishme, sepse robi tregon vazhdimisht mangësi në kryerjen e urdhrave dhe porosive të Zotit: ai ose nuk i zbaton fare ato, ose i zbaton me mangësi. Prandaj, që veprat tona të jenë të denja për t’u pranuar dhe shpërblyer, Allahu i Lartësuar na urdhëron që t’i kërkojmë falje Atij. Të mos harrojmë, gjithashtu, se robi bën gabime dhe gjynahe gjatë natës dhe ditës, kështu që është gjithmonë në nevojë për faljen dhe mëshirën e Zotit të tij. Nëse Zoti nuk e përfshin në mëshirën e Vet, shkatërrimi është i sigurt dhe i pakthyeshëm. Këtu përfundon tefsiri i sures Muzzemmil.