Ne bëmë mbikëqyrës të Zjarrit veç melekë, numrin e të cilëve e bëmë veçse si sprovë për ata që nuk besojnë,... – Në bazë të kuptimit të fjalës ‘fitne’, ajeti mund të kuptohet në dy mënyra:1. fitne = ndëshkim. Kuptimi i ajetit: Atë numër melekësh e bëmë për të ndëshkuar kriminelët në ahiret dhe për t’i dëshpëruar ata ditën kur të ballafaqohen me këta melekë në Xhehenem.Në Kur'an, fjalën ‘fitne’ me kuptimin ‘ndëshkim’ e gjen edhe në suren Tur, ku Allahu i Lartësuar thotë: “Dhuku fitnetekum”, pra, “Shijoni ndëshkimin tuaj!”, ose në ajetin: “Jeume hum alen-nari juftenun” – “...ditën kur do të ndëshkohen në Zjarr”.2. fitne= sprovë. Kuptimi i ajetit: Ne ju treguam për numrin e melekëve për t’ju provuar kush do të besojë e kush jo. Varianti i dytë mbështetet nga konteksti i këtij ajeti dhe nga ajetet në vijim, ku Allahu i Lartësuar thotë:...që të binden ata që u është dhënë Libri, që besimtarëve t’u shtohet edhe më shumë besimi, - Sa u përket ithtarëve të Librit, nëse kjo është e njëjtë me atë që kanë në librat e tyre, atyre do t’u shtohet siguria për të vërtetën e sjellë nga Kur'ani. Ndërsa besimtarët muslimanë, sa herë që zbret ndonjë shpallje nga Zoti, ata e besojnë dhe e pranojnë, pa shprehur rezerva apo mëdyshje, dhe kështu imani i tyre shtohet e forcohet....që ata të cilëve u është dhënë Libri dhe besimtarët të mos kenë asnjë dyshim,... –Domethënë, që atyre t’u largohet çdo dyshim nga e vërteta e Zotit. Ky është qëllimi i lartë, që duan të arrijnë të mençurit e të urtët. Ata përpiqen e sakrifikojnë shumë për të patur jakin-in, sigurinë e plotë të imanit. Ata synojnë të arrijnë dijen e saktë dhe të plotë për çdo çështje të fesë e të besimit, sepse kështu largojnë çdo dyshim, që i pengon njerëzit për pranimin e të vërtetës. Allahu i Madhëruar e bëri Shpalljen, që ia dhuroi Profetit (a.s.), si burim të pashtershëm të urtësive të mrekullueshme, të cilat forcojnë besimin dhe largojnë dyshimet. Por kjo Shpallje do të bëjë edhe dallimin mes të sinqertëve dhe gënjeshtarëve mosbesues, në varësi të mënyrës se si ata do të trajtojnë ajetet e Zotit të Madhëruar, i Cili thotë:...ndërsa ata të cilët në zemrat e tyre kanë sëmundje dhe jobesimtarët të thonë: “Çfarë deshi Allahu me këtë shembull?” - Ata që i kanë zemrat të sëmura me sëmundjen e dyshimit dhe të hipokrizisë, ashtu si dhe mohuesit, thonë: “Çfarë deshi Zoti me këtë shembull?!” Kështu, ata tregojnë se janë të çoroditur, të zhytur në dyshime dhe mohues të ajeteve të Allahut. Në lidhje me besimin në Shpalljen e Allahut, njerëzit ndahen në:- të udhëzuar, të cilëve Allahu u ka dhënë sukses të besojnë Shpalljen e Tij;- të paudhëzuar, të cilëve Allahu nuk u ka dhënë sukses të pranojnë Shpalljen e Tij. Këta i nënvleftësojnë dhe hedhin dyshime për ajetet e Allahut. Ky është udhëzimi i Allahut, të cilin Ai ia jep atij që Ai do, siç thuhet më pas:Ja, kështu Allahu e lë të humbur atë që Ai do dhe e udhëzon atë që do. - Ata të cilët Zoti i udhëzon e konsiderojnë Shpalljen e Tij ashtu sikurse është: mëshirë e mirësi, si përforcues dhe shtues të imanit dhe si plotësues të fesë së tyre. Ndërsa për ata që Ai i ka lënë në humbje, me drejtësinë dhe urtësinë e Tij, kjo Shpallje bëhet shkak për shtimin e dëshpërimit dhe fatkeqësisë së tyre. Ata tregohen mohues, ndërkohë që kanë për detyrë t’i pranojnë fjalët dhe porositë e Allahut dhe të Profetit të Tij, duke u dorëzuar dhe duke punuar e jetuar sipas tyre.Ushtritë e Zotit tënd nuk i di askush veç Tij. - Ushtritë e Zotit, me melekë e me krijesa të tjera, nuk i di askush tjetër, veç Zotit që i krijoi. Atëherë, meqenëse ju nuk dini gjë rreth ushtrive të Tij, atëherë është detyrim për ju që t’u besoni fjalëve të Tij, pa pasur e shprehur asnjë dyshim a pasiguri.Ky (lajm)është veçse një kujtim për njerëzit. -Ky paralajmërim nuk është një kotësi dhe lojë, por ka një qëllim të rëndësishëm. Ai është sjellë për të kujtuar e këshilluar njerëzit, me qëllim që t’i udhëzojë ata te gjërat që u sjellin dobi dhe për t’i larguar nga çdo vepër e dëmshme për ta.