Tafsir As-Saadi

Multiple Ayahs

Tags

Download Links

Tafsir As-Saadi tafsir for Surah Al-Fath — Ayah 15

سَيَقُولُ ٱلۡمُخَلَّفُونَ إِذَا ٱنطَلَقۡتُمۡ إِلَىٰ مَغَانِمَ لِتَأۡخُذُوهَا ذَرُونَا نَتَّبِعۡكُمۡۖ يُرِيدُونَ أَن يُبَدِّلُواْ كَلَٰمَ ٱللَّهِۚ قُل لَّن تَتَّبِعُونَا كَذَٰلِكُمۡ قَالَ ٱللَّهُ مِن قَبۡلُۖ فَسَيَقُولُونَ بَلۡ تَحۡسُدُونَنَاۚ بَلۡ كَانُواْ لَا يَفۡقَهُونَ إِلَّا قَلِيلٗا ١٥
Kur ju të shkoni për të mbledhur plaçkën e luftës, ata që ngelën pas, do të thonë: “Na lini të vijmë edhe ne me ju!” -Pasi përshkroi gjendjen e përbuzur dhe të dënueshme të njerëzve që nuk morën pjesë në luftë me Profetin (a.s.), Allahu i Madhëruar na tregon një prej mënyrave me të cilën ata u ndëshkuan që në dynja. Kur Profeti (a.s.) dhe shokët e tij, me mirësinë e Zotit, fituan plaçkë lufte pa zhvilluar asnjë betejë dhe shkuan për ta marrë atë, këta të mjerë kërkuan që të merrnin ndonjë pjesë, duke thënë: “Na lejoni të vijmë edhe ne me ju, që të marrim nga plaçka luftës!” Kështu ata donin të ndryshonin gjykimin e Allahut rreth plaçkës së luftës dhe atyre që e meritojnë atë. Allahu i Madhëruar kishte vendosur që këtyre të mos u jepej gjë nga plaçka e luftës, si ndëshkim për ta, por ta përfitonin vetëm besimtarët e vërtetë. Ky qe caktimi i Zotit dhe ligji i Tij.Kështu, ata duan të ndryshojnë urdhrin e Allahut. Ti thuaju: “Kurrsesi! Ju nuk keni për të ardhur me ne. Kështu ka thënë Allahu më herët.” -Thuaju atyre: “Kurrë nuk keni për të ardhur! Ju jeni të privuar nga ky nder, sepse ia bëtë vetes padrejtësinë duke mos marrë pjesë në luftë, kur u ftuat të bashkoheshit me ne.”Kurse ata do t’ju thonë: “Nuk është ashtu. Ju na keni zili.” Por ata mendojnë shumë pak. -Kur atyre iu përcoll gjykimi i Allahut, që ishte ndëshkim për ta, si përgjigje thanë: “Ju na keni zili! Nga zilia juaj, nuk doni që të marrim pjesë me ju në plaçkën e luftës!” Ja, deri këtu arriti logjika e tyre në këtë çëshje. Nëse do të logjikonin drejt, do ta kuptonin se ata u privuan nga plaçka e luftës për shkak të mosbindjes së tyre. Do ta kuptonin se mosbindja sjell ndëshkime në dynja dhe në ahiret.