Tafsir As-Saadi

Multiple Ayahs

Tags

Download Links

Tafsir As-Saadi tafsir for Surah Al-Hadid — Ayah 10

وَمَا لَكُمۡ أَلَّا تُنفِقُواْ فِي سَبِيلِ ٱللَّهِ وَلِلَّهِ مِيرَٰثُ ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلۡأَرۡضِۚ لَا يَسۡتَوِي مِنكُم مَّنۡ أَنفَقَ مِن قَبۡلِ ٱلۡفَتۡحِ وَقَٰتَلَۚ أُوْلَٰٓئِكَ أَعۡظَمُ دَرَجَةٗ مِّنَ ٱلَّذِينَ أَنفَقُواْ مِنۢ بَعۡدُ وَقَٰتَلُواْۚ وَكُلّٗا وَعَدَ ٱللَّهُ ٱلۡحُسۡنَىٰۚ وَٱللَّهُ بِمَا تَعۡمَلُونَ خَبِيرٞ ١٠
Ç’ndodh me ju, që nuk shpenzoni në rrugën e Allahut... -Çfarë ju pengon ju që të shpenzoni për hir të Allahut, në të gjitha rrugët e mirësisë? Çfarë ju bën ju që të jeni koprracë, ndërkohë që ju vetë nuk keni asnjë lloj pasurie, por gjithçka i takon Allahut të Madhëruar....kur dihet se Allahut i mbesin trashëgim qiejt e Toka? -Do të vijë një ditë kur të gjitha llojet e pasurive do të hiqen nga duart tuaja dhe ju të largoheni prej tyre. Gjithçka do të kthehet te Pronari e Sunduesi i vërtetë, tek Allahu i Lartësuar. Prandaj, shfrytëzojini këto pasuri duke i shpenzuar në rrugën e drejtë, sa i keni në përdorim! Më pas, Allahu i Lartësuar përmend dallimin mes veprave, në varësi të gjendjes kur kryhen dhe të urtësisë hyjnore në vlerësimin e tyre.Nuk janë të barabartë ata që kanë shpenzuar nga pasuria e tyre dhe kanë luftuar para Çlirimit. Këta kanë vlerë më të madhe sesa ata që shpenzuan dhe luftuan më pas. -Këtu është fjala për çlirimin e Hudejbijes, kur mes Profetit (a.s.) dhe idhujtarëve kurejshë të Mekës u nënshkrua marrëveshja e paqes. Marrëveshja e Hudejbijes ishte një nga faktorët më të mëdhenj që ndihmoi në përhapjen e Islamit dhe përzierjen e muslimanëve me të tjerët. Gjatë kësaj kohe u mundësua që Islami të predikohej pa pengesë, prandaj edhe njerëzit hynë në fenë e Zotit grupe–grupe, ndërsa Islami u lartësua. Para kësaj marrëveshjeje, muslimanët mund të ushtronin lirisht davetin (ftesën islame) veçse në vendet ku dominonin muslimanët, si në Medinë dhe rrethinat e saj. Ndërsa muslimanët e Mekës ose të viseve të idhujtarëve ishin të frikësuar, prandaj nuk mund të vepronin lirisht. Për arsyen e mësipërme, ata që pranuan Islamin dhe shpenzuan për hir të Allahut para Çlirimit, ishin në gradë më të lartë dhe meritonin shpërblim më të madh se ata që pranuan Islamin pas Çlirimit. Kjo është në përputhje edhe me urtësinë e Zotit. Po të studiosh situatën, do të shohësh se më të zgjedhurit e sahabëve e pranuan Islamin përpara Çlirimit. Megjithatë, për të mos i lënë vend ndonjë keqkuptimi në lidhje me shpërblimin, Allahu i Madhëruar thotë:Por të gjithëve Allahu u ka premtuar mirësi. -Si atyre që shpenzuan dhe luftuan para Çlirimit, ashtu edhe atyre që shpenzuan dhe luftuan pas Çlirimit, Allahu i Madhëruar u ka premtuar Xhenetin. Kjo tregon për vlerën e lartë të të gjithë sahabëve, - Allahu qoftë i kënaqur me ta! - sepse është vetë Allahu që dëshmoi për imanin e tyre të vërtetë dhe që u premtoi Xhenetin.Allahu di për gjithçka që ju punoni. -Secilin prej jush, Allahu i Gjithëditur do ta shpërblejë sipas punës që ka bërë. Më pas, Allahu i Madhëruar nxit për të shpenzuar në rrugën e Tij, sepse xhihadi mbështetet pikërisht nga këto shpenzime.