Tafsir As-Saadi

Multiple Ayahs

Tags

Download Links

Tafsir As-Saadi tafsir for Surah Al-Jumu'ah — Ayah 3

وَءَاخَرِينَ مِنۡهُمۡ لَمَّا يَلۡحَقُواْ بِهِمۡۚ وَهُوَ ٱلۡعَزِيزُ ٱلۡحَكِيمُ ٣
...por edhe të tjerëve, që ende nuk u janë bashkuar atyre. Ai është Ngadhënjimtari, i Urti. –Gjithashtu, nëpërmjet profetit Muhamed (a.s.) dhe Shpalljes së Tij, Allahu i Lartësuar e plotësoi mirësinë e Tij mbi të gjithë popujt e tjerë, dhe jo vetëm mbi ‘të palexuarit’. Kjo përfshin të gjithë popujt, si ata që jetuan në kohën e Profetit (a.s.), ashtu edhe ata që do të vinin më vonë, pas tij. Shpjegimi i mësipërm është njëri kuptim i fragmentit: “...që ende nuk u janë bashkuar atyre”. Po ka mundësi që kjo fjali të ketë për qëllim brezat e mëvonshëm, që do të vinin pas atyre që jetuan në kohën e Profetit dhe të cilët nuk do mund të arrinin gradën e brezave të parë në vepra të mira dhe shpërblim. Sidoqoftë, të dyja kuptimet janë të sakta dhe ajeti i përmban ato, pasi nuk ka dyshim se brezi mes të cilëve u dërgua Profeti (a.s.) dhe jetuan në kohën e Shpalljes, duke qenë luftëtarët e parë të Islamit, u dalluan me shumë veçori, aq sa askush pas tyre nuk mund t’i arrijë më ata. Dërgimi i profetëve që ata t’u lexonin popujve shpalljet e Zotit, për të pastruar zemrat e për t’u mësuar çdo gjë të dobishme për dynjanë dhe ahiretin e tyre, dëshmon për diturinë dhe urtësinë absolute të Allahut të Lartësuar, i Cili nuk do t’i braktiste kurrë krijesat e Tij për t’i lënë në çoroditje dhe përhumbje. Ai dërgoi mes tyre profetë, për t’i urdhëruar dhe për t’i ndaluar, për t’i ngarkuar me ligje e detyra që rregullojnë jetën e tyre dhe për t’i ringjallur pas vdekjes, që t’i shpërblejë me bujarinë, bamirësinë dhe drejtësinë e Tij.