Tafsir As-Saadi

Multiple Ayahs

Tags

Download Links

Tafsir As-Saadi tafsir for Surah Al-Munafiqun — Ayah 4

۞ وَإِذَا رَأَيۡتَهُمۡ تُعۡجِبُكَ أَجۡسَامُهُمۡۖ وَإِن يَقُولُواْ تَسۡمَعۡ لِقَوۡلِهِمۡۖ كَأَنَّهُمۡ خُشُبٞ مُّسَنَّدَةٞۖ يَحۡسَبُونَ كُلَّ صَيۡحَةٍ عَلَيۡهِمۡۚ هُمُ ٱلۡعَدُوُّ فَٱحۡذَرۡهُمۡۚ قَٰتَلَهُمُ ٱللَّهُۖ أَنَّىٰ يُؤۡفَكُونَ ٤
Kur i sheh ata, të mahnisin, e kur flasin, u dëgjohet fjala. –Po t’i shohësh, ata të mahnisin me pamjen e tyre; edhe kur flasin, atyre u dëgjohet fjala. Kështu, ata gjithmonë rregullojnë pamjen dhe fjalët e tyre, që të tjerët të çuditen me ta dhe të mos shohin se çfarë fshihet pas tyre. E vërteta është se pas fizionomisë dhe fjalëve të tyre nuk ka asgjë prej moralit të mirë dhe as prej udhëzimit të drejtë, për të cilin urdhëron feja e Zotit. Ata janë ashtu sikurse thotë Allahu i Lartësuar:Po ata janë si trungje bosh e të mbështetur. -Ata janë të padobishëm, madje sjellin veçse dëm. Allahu i Lartësuar vazhdon të tregojë të tjera cilësi të ulëta të tyre:Çdo thirrje e mendojnë sikur është kundër tyre. -Kjo ndodh për shkak të dobësisë së zemrës së tyre, sepse ata janë frikacakë. Zemra e tyre është e mbushur me dyshime dhe ata janë gjithmonë të frikësuar se mos u zbulohet ajo që e fshehin.Ata janë armiq, prandaj ruaju prej tyre! –Në fakt, këta janë armiq më të rrezikshëm sesa armiqtë e deklaruar. Munafikët shfaqen si miq dhe të dashur, por në të vërtetë janë armiq të përbetuar, që thurin kurthe dhe intriga. Për këtë arsye, duhet kujdes i madh për t’u ruajtur prej tyre. Më pas, Allahu i Lartësuar thotë:Allahu i vraftë, si shmangen nga e vërteta! -Si e braktisin ata fenë Islame, pasi iu bënë të qarta argumentet dhe mësimet e mrekullueshme të saj, për të përqafuar kufrin, i cili nuk u sjell asnjë dobi, por veçse dëshpërim dhe shkatërrim?!