Tafsir As-Saadi

Multiple Ayahs

Tags

Download Links

Tafsir As-Saadi tafsir for Surah Al-Munafiqun — Ayah 7

هُمُ ٱلَّذِينَ يَقُولُونَ لَا تُنفِقُواْ عَلَىٰ مَنۡ عِندَ رَسُولِ ٱللَّهِ حَتَّىٰ يَنفَضُّواْۗ وَلِلَّهِ خَزَآئِنُ ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلۡأَرۡضِ وَلَٰكِنَّ ٱلۡمُنَٰفِقِينَ لَا يَفۡقَهُونَ ٧
Këtu tregohet urrejtja e madhe e munafikëve ndaj Profetit (a.s.) dhe muslimanëve, urrejtje që kishte mbushur plotësisht zemrat e tyre. Kur ata shihnin se si sahabët rrethonin me dashuri dhe ngrohtësi Profetin (a.s.) dhe garonin se kush e kush më parë ta kënaqte atë, duke zbatuar urdhrat dhe porositë e tij, këta të mjerë - duke ëndërruar dhe shpresuar gjëra të kota - thoshin:Ata thonë: “Mos u jepni asgjë atyre që janë me të Dërguarin e Allahut, derisa ata ta braktisin!” –Kështu, ata pandehnin se po të mos ishte pasuria e munafikëve, muslimanët nuk do të bashkoheshin për të ndihmuar fenë e Allahut. A thua se besimtarët qëndronin rreth e rrotull Profetit (a.s.) dhe zbatonin urdhrat e tij me përkushtim, me shpresë se do të përfitonin pasuri nga këta të mjerë! Sigurisht, kjo qe një hamendje krejt e pabazë dhe e çuditshme. Munafikët ishin njerëzit më të përkushtuar për shkatërrimin e Islamit dhe të muslimanëve, dhe më koprracët njëkohësisht. E si mund të kishin të tilla pretendime ata njerëz?! Dokrrat e tyre mund t’i besonin veçse të paditurit e mendjelehtët, që nuk shohin realitetin e gjërave. Duke ua përplasur në fytyrë pretendimin, Allahu i Lartësuar thotë:Vetëm Allahut i përkasin pasuritë e qiejve e të Tokës,... -Allahu furnizon atë që Ai dëshiron dhe e privon atë që Ai dëshiron. Është Allahu i Lartësuar Ai që ia mundëson dhe lehtëson furnizimin atij që Ai dëshiron, me urtësinë e Tij, dhe ia vështirëson atij që Ai dëshiron. Por këtë fakt nuk mund ta kuptojnë të gjithë, e aq më pak munafikët, prandaj i Lartësuari thotë:...por munafikët nuk e kuptojnë. –Pikërisht për shkak të logjikës së dobët të tyre, ata thanë atë që thanë. Munafikët pretendonin që depot e furnizimit i kishin ata dhe i administronin sipas dëshirës së tyre. Përveç mendjelehtësisë, kjo tregonte edhe arrogancën e tyre, e cila duket më qartë në fjalët më pas: