Tafsir As-Saadi

Multiple Ayahs

Tags

Download Links

Tafsir As-Saadi tafsir for Surah At-Taghabun — Ayah 8

فَـَٔامِنُواْ بِٱللَّهِ وَرَسُولِهِۦ وَٱلنُّورِ ٱلَّذِيٓ أَنزَلۡنَاۚ وَٱللَّهُ بِمَا تَعۡمَلُونَ خَبِيرٞ ٨
Atëherë, besojeni Allahun, të Dërguarin e Tij dhe Dritën që Ne e zbritëm! -Në ajetet e mësipërme, Allahu i Lartësuar foli për ata që nuk e besojnë ringjalljen dhe llogarinë e drejtë në Ditën e Gjykimit. Pa dyshim, mohimi i Ditës së Gjykimit është tregues i mohimit të Zotit dhe Shpalljes së Tij, prandaj në ajetet vijuese Allahu i Lartësuar na urdhëron të bëjmë diçka që na ruan nga ndëshkimi, shkatërrimi dhe dëshpërimi. Ai na urdhëron për të besuar drejt Allahun, të Dërguarin e Tij dhe Librin e Tij, bazuar në dije të saktë dhe të sigurt. Allahu e quan Librin e Tij “Nur”, dritë. Drita është e kundërta e errësirës dhe larguesja e saj. Nuk ka dyshim se Libri të cilin Allahu i Lartësuar ia shpalli Profetit të Tij është i mbushur me dituri dhe ligje, që i ndriçojnë robit rrugën mes errësirës së frikshme të injorancës. Çdo lloj udhëzimi i kërkuar jashtë Librit të Allahut dhe Traditës së Profetit të Tij (s.a.u.s) dhe çdo lloj diturie e përftuar jashtë tyre, nëse nuk përputhet me mësimet e Shpalljes, atëherë sherri që vjen prej tyre është më i madh se mirësia që pritet. E tillë është çdo lloj njohurie, përveç atyre që plotësojnë disa kushte, si:- të jenë në përputhje me qëllimet e mëdha, për të cilat u dërguan profetët;- të ndihmojnë në përforcimin e besimit tek Allahu i Lartësuar, i Dërguari dhe te Shpallja e Tij;- të sjellin një siguri të plotë në vërtetësinë e porosive që profetët sollën nga Zoti i tyre;- të ndihmojnë që të punosh në mënyrë korrekte, duke kryer urdhrat dhe duke u larguar nga ndalesat, sipas besimit të drejtë.Me pak fjalë, çdo njohuri që ndihmon të arrish këto synime të larta, është e vlefshme. Ndërsa njohuritë që të largojnë nga të tilla synime ose i cenojnë ato, janë të gjitha të dëmshme, në varësi të cenimit që ato u shkaktojnë synimeve të larta.Allahu di në hollësi gjithçka që bëni ju! - Prandaj do t’ju shpërblejë sipas veprave që keni bërë, të mira apo të këqija qofshin.