You are reading tafsir of 4 ayahs: 65:8
to 65:11.
Allahu i Lartësuar na tregon për ndëshkimin që Ai u ka dhënë popujve të shkuar, të cilët mohuan profetët dhe refuzuan t’i nënshtroheshin ligjit të Zotit. Atyre nuk u bëri aspak dobi fuqia dhe numri i tyre i madh për t’u mbrojtur nga llogaria e ashpër dhe ndëshkimi i dhembshëm. Allahu i Madhëruar dërgoi mbi secilin prej tyre atë lloj ndëshkimi që e meritonin me veprat e tyre. Ky ishte ndëshkimi i tyre në dynja, ndërsa në ahiret dënimi është shumë herë më i ashpër. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu ka përgatitur për ta dënim të rëndë, prandaj frikësojuni Allahut, o njerëz të mençur që keni besuar!” Ajeti u drejtohet njerëzve të mençur, të cilët i kuptojnë mirë porositë e Allahut. Ai i cili i shkatërroi popujt e shkuar, për shkak të mohimit të tyre, kështu ka vepruar gjithnjë dhe kështu do të veprojë me të gjithë ata popuj që bëjnë të njëjtin krim. Nuk bëhet asnjë diferencim mes atyre që kanë cilësi të njëjta, për sa i përket shpërblimit dhe ndëshkimit. Më pas, Allahu i Lartësuar u kujton robërve të Tij Kur'anin (kujtuesi), të cilin ia shpalli Muhamedit (a.s.). Ai u thotë, gjithashtu, që të mos bëhen si ata popujt e shkuar, që mohuan profetët e tyre. Allahu i Lartësuar e dërgoi Muhamedin (a.s.) me udhëzim të qartë, për t’i nxjerrë krijesat nga errësirat e kufrit, injorancës, poshtërsive dhe mosbindjes, në dritën e imanit, diturisë, devotshmërisë dhe bindjes ndaj Tij. Sidoqoftë, jo të gjithë njerëzit besojnë. Ka prej atyre që nuk besojnë. Për ata që besojnë, Allahu i Lartësuar thotë: “Kush i beson Allahut dhe bën vepra të mira, Ai do ta fusë në kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj e ku do të jetë përgjithmonë.” Këta e besojnë Allahun e Lartësuar duke u bazuar në dituri të saktë dhe të qartë, e cila ka ardhur prej Shpalljes, dhe punojnë sipas kësaj Shpalljeje, me sinqeritet për të kënaqur Allahun e Lartësuar. Për të tillët, Allahu i Lartësuar premton se do t’i fusë në xhenete, nëpër të cilët rrjedhin lumenj dhe ku do të kenë mirësi të përjetshme. Atje do të kenë atë që syri se ka parë, veshi nuk e ka dëgjuar dhe as mendja nuk e ka përfytyruar. Përveç kësaj: “Allahu ka për t’i dhënë atij një jetë të mirë.” Ndërsa ata të cilët nuk besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij ose që nuk kanë besim të saktë, të bazuar në dije të qartë, dhe nuk bëjnë me sinqeritet vepra të mira sipas këtij besimi, ata do të jenë banorë të Zjarrit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë.