Tafsir As-Saadi

Multiple Ayahs

Tags

Download Links

Tafsir As-Saadi tafsir for Surah At-Tahrim — Ayah 10

ضَرَبَ ٱللَّهُ مَثَلٗا لِّلَّذِينَ كَفَرُواْ ٱمۡرَأَتَ نُوحٖ وَٱمۡرَأَتَ لُوطٖۖ كَانَتَا تَحۡتَ عَبۡدَيۡنِ مِنۡ عِبَادِنَا صَٰلِحَيۡنِ فَخَانَتَاهُمَا فَلَمۡ يُغۡنِيَا عَنۡهُمَا مِنَ ٱللَّهِ شَيۡـٔٗا وَقِيلَ ٱدۡخُلَا ٱلنَّارَ مَعَ ٱلدَّٰخِلِينَ ١٠
Atyre që mohojnë, Allahu u sjell si shembuj gruan e Nuhut dhe gruan e Lutit. -Këta shembuj shërbejnë që njerëzit të kuptojnë se lidhjet e ndryshme mes besimtarëve e mohuesve nuk kanë asnjë efekt te përfundimi i secilit prej tyre. Kështu, afërsia me besimtarin nuk ka për t’i sjellë qafirit asnjë dobi. Gjithashtu, lidhja me qafirin nuk ka për ta dëmtuar aspak besimtarin, nëse ky i fundit i ka kryer detyrimet kundrejt tjetrit. Kjo duket si një këshillë dhe vërejtje për gratë e Profetit (a.s.), që ato të ruheshin nga gabimet dhe mosbindja, duke e kuptuar mirë se lidhja e tyre me Profetin (a.s.) nuk do t’u sillte asnjë dobi, nëse ato nuk besonin dhe nuk i bindeshin Allahut të Lartësuar. Më tej, thotë i Madhëruari:Ato ishin të martuara me dy nga robërit Tanë të mirë, por i tradhtuan ata. -Ato ishin bashkëshorte të dy profetëve të nderuar, Nuhut (a.s.) dhe Lutit (a.s.). Por ato tradhtuan, duke mos e pranuar besimin dhe fenë e burrave të tyre. Pra, këtu nuk flitet assesi për tradhti bashkëshortore. Nuk ka ndodhur kurrë që një grua profeti të ketë tradhtuar nderin dhe shtratin e tij. Zoti i Lartësuar kurrë nuk do të bënte kurrë që gruaja e një profeti të ishte e përdalë dhe shkelëse e nderit bashkëshortor. Meqenëse ato e tradhtuan fenë e burrave të tyre, statusi i tyre si bashkëshorte profetësh nuk u bëri asnjë dobi. Allahu thotë:Për këtë arsye, bashkëshortët e tyre nuk do të mund t’i mbrojnë ato aspak tek Allahu. Atyre të dyjave do t’u thuhet: “Hyni të dyja në Zjarr, së bashku me të tjerët që hyjnë në të!” –Kështu, profetët Nuh dhe Lut (a.s.) nuk do të mund t’i ndihmojnë ato tek Allahu i Madhëruar. Ndërsa për besimtarët, Allahu i Lartësuar sjell shembull tjetër: