Tafsir As-Saadi

Multiple Ayahs

Tags

Download Links

Tafsir As-Saadi tafsir for Surah Al-Hujurat — Ayah 11

يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ لَا يَسۡخَرۡ قَوۡمٞ مِّن قَوۡمٍ عَسَىٰٓ أَن يَكُونُواْ خَيۡرٗا مِّنۡهُمۡ وَلَا نِسَآءٞ مِّن نِّسَآءٍ عَسَىٰٓ أَن يَكُنَّ خَيۡرٗا مِّنۡهُنَّۖ وَلَا تَلۡمِزُوٓاْ أَنفُسَكُمۡ وَلَا تَنَابَزُواْ بِٱلۡأَلۡقَٰبِۖ بِئۡسَ ٱلِٱسۡمُ ٱلۡفُسُوقُ بَعۡدَ ٱلۡإِيمَٰنِۚ وَمَن لَّمۡ يَتُبۡ فَأُوْلَٰٓئِكَ هُمُ ٱلظَّٰلِمُونَ ١١
O ju që keni besuar! Nuk është mirë të tallet një popull me një popull tjetër, sepse të tallurit mund të jenë më të mirë nga ata që tallin; as gratë me gratë e tjera, sepse mund të ndodhë që ato të jenë më të mira se ato që tallin. -Edhe ky është një nga detyrimet e ndërsjellta të muslimanëve: ata nuk lejohet të tallen me njëri-tjetrin, qoftë me fjalë apo me vepra e gjeste. Ky është një veprim që Zoti e ka bërë haram. Sjellja e tillë tregon që tallësi ka rënë në vetëkënaqësi. Ndoshta i talluri është më i mirë se tallësi, ashtu siç ndodh në shumicën e rasteve, pasi tallja buron nga zemra që është e mbushur me vese të ulëta. Për këtë, Profeti ka thënë: “I mjafton njeriut si gjynah, përçmimi i vëllait të tij besimtar.”Mos tallni veten tuaj ... - Mos tejkaloni caqet, duke përmendur të metat e njëri-tjetrit! Kjo mund të bëhet me fjalë ose me veprime. Që të dyja janë haram, madje për vepruesin e tyre ka kërcënim për ndëshkim në Zjarr, sikurse thotë i Madhëruari në një ajet tjetër: “Mjerë për atë që tall e përqesh (njerëzinë),” [Humeze 1]. Vëreni me kujdes! Allahu i Madhëruar thotë: “Mos tallni veten tuaj!” Pra, vëllai besimtar duhet trajtuar si vetja. Kështu duhet të jenë besimtarët: si një trup i vetëm! Gjithashtu, nëse tall të tjerët, edhe ata do të veprojnë njëlloj me ty, e në këtë rast, njeriu është vetë shkaktar për talljen e vetvetes....e mos i vini njëri-tjetrit nofka tallëse! -Muslimani nuk duhet ta tallë vëllain e tij duke e thirrur me nofka që ai nuk dëshiron ta thërrasin. Ky veprim është haram. Ndërsa nofkat jo fyese, të cilat njeriu i pranon, nuk hyjnë në këtë ndalesë.Sa e shëmtuar është të vësh nofka tallëse, pasi ke besuar! -Kthimi pas në injorancë, mosbindje dhe gjynahe, pasi ke besuar dhe ke bërë vepra të mira sipas ligjit të Zotit, është diçka shumë e shëmtuar. Kjo do të thotë që përdorimi i nofkave fyese e tallëse për tjetrin është kthim në injorancën paraislame dhe një vepër e shëmtuar.Ata që nuk pendohen, janë vërtet keqbërës. - Ky është detyrim i besimtarit musliman. Ai duhet të pendohet tek Allahu i Lartësuar dhe t’i japë hakun vëllait të tij musliman. Ai duhet t’i kërkojë falje vëllait të tij, dhe duhet t’i kërkojë falje Zotit të tij. Gjithashtu, duhet që, nëse e ka ofenduar, sharë dhe mbajtur nëpër gojë për keq vëllain musliman, tani le ta lëvdojë atë dhe të çojë në vend nderin e tij. Nga ky ajet kuptohet se njerëzit ndahen dy grupe: 1. Të padrejtët ndaj vetes, të cilët nuk pendohen për gjynahet e tyre. 2. Ata që bëjnë gjynahe, por që pendohen për gjynahet e tyre. Këta të fundit përfitojnë mirësinë e shpëtojnë nga çdo e keqe. Nuk ka grup të tretë, veç këtyre.