Tafsir As-Saadi

Multiple Ayahs

Tags

Download Links

Tafsir As-Saadi tafsir for Surah Al-Hujurat — Ayah 12

يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ ٱجۡتَنِبُواْ كَثِيرٗا مِّنَ ٱلظَّنِّ إِنَّ بَعۡضَ ٱلظَّنِّ إِثۡمٞۖ وَلَا تَجَسَّسُواْ وَلَا يَغۡتَب بَّعۡضُكُم بَعۡضًاۚ أَيُحِبُّ أَحَدُكُمۡ أَن يَأۡكُلَ لَحۡمَ أَخِيهِ مَيۡتٗا فَكَرِهۡتُمُوهُۚ وَٱتَّقُواْ ٱللَّهَۚ إِنَّ ٱللَّهَ تَوَّابٞ رَّحِيمٞ ١٢
O ju që keni besuar! Largohuni nga paragjykimet! Vërtet paragjykimet(e pabaza)janë padrejtësi. -Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar na ndalon të paragjykojmë e të mendojmë keq për besimtarët, pasi disa paragjykime të tilla janë gjynah. Këtu bëhet fjalë për hamendësimet e pabazuara në fakte, të cilat të shtyjnë më shumë në fjalë të këqija e në vepra të padrejta. Nëse në zemër ekzistojnë mendime të këqija, ato nuk mbeten gjatë të tilla, por forcohen dhe e bëjnë bartësin e tyre që të flasë e të veprojë padrejtësisht. Paragjykimet dhe mendimet e këqija për muslimanin janë nxitëse të urrejtjes dhe të përçarjes, ndërkohë që jemi urdhëruar për të kundërtën.Mos rrëmoni për zbulimin e të metave të tjetrit... -Mos hetoni të zbuloni sekretet dhe intimitetin e muslimanit! Lëreni të qetë muslimanin dhe mos u merrni me çështjet delikate të tij, që nuk duhet të përhapen e të zbulohen....dhe mos përgojoni! - Përgojimi (gibet), ashtu sikurse e ka përkufizuar Profeti (a.s.), është: “Të thuash rreth vëllait tënd besimtar diçka që ai nuk e dëshiron të përmendet, edhe nëse vërtet e ka atë gjë.” Allahu i Madhëruar bën një krahasim të përgojimit, për të treguar se sa vepër e shëmtuar është:Vallë, a ka ndonjë prej jush që dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur?! Sigurisht, për ju kjo është e neveritshme. - Allahu i Lartësuar e ka krahasuar gibet-in me ngrënien e mishit të njeriut të vdekur, që është gjëja më e shëmtuar dhe më e neveritshme nga njeriu. Pra, ashtu sikurse ai e urren që të hajë mishin e njeriut, në mënyrë të veçantë kur është i vdekur, ashtu duhet ta urrejë përgojimin e tij, që, në njëfarë mënyre, është si ta hash mishin e tij për së gjalli!Ruhuni nga ndëshkimi i Allahut! Me të vërtetë, Allahu është Pranues i madh i pendimit e Mëshirëplotë. - Allahu është El Teuab, Ai që lejon dhe u jep sukses robërve të Tij që të pendohen, dhe pastaj ua pranon pendimin. Ai është, gjithashtu, El Rahim - Mëshirëplotë për robërit e Tij. Prej mëshirës së Tij është edhe fakti që Ai i fton e ndihmon ata që të arrijnë më të dobishmen për ta dhe e pranon prej tyre pendimin, kur gabojnë. Ky ajet është një kërcënim i rëndë për ata që merren me përgojim. Ai tregon se përgojimi është gjynah i madh, sepse Allahu e ka krahasuar me ngrënien e mishit të njeriut të vdekur, gjë e cila është e ndaluar dhe prej gjynaheve të mëdha.